
Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo uron Kosovën në përvjetorin e 12-të të Pavarësisë, duke thënë se sovraniteti dhe pavarësia e këtij shteti janë shumë të rëndësishme për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit në institucionet transatlantike dhe do të vazhdojnë të punojnë për të promovuar sundimin e ligjit, luftën ndaj korrupsionit dhe prosperitetin ekonomik për të gjithë qytetarët’, thuhet në deklaratën e publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Duke iu referuar marrëveshjeve të arritura mes zyrtarëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë për rivendosjen e linjave ajrore dhe atyre hekurudhore mes dy vendeve, Pompeo i cilëson si inkurajuese zhvillimet, që siç thotë, lehtësojnë investimet, turizmin dhe lidhjet mes njerëzve. (A2 Televizion)