
Në 12-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, nuk kanë munguar mesazhet e urimit nga politika shqiptare.
Presidenti Ilir Meta, mesazhin e urimit ia ka drejtuar homologut te tij Hashim Thaçi. “Uroj që përpara sfidave të tjera aspak të lehta, në Kosovë të mbizotërojë uniteti përreth objektivit strategjik për integrimin europian dhe euro-atlantik si dhe njohjen e mëtejshme në arenën ndërkombëtare. Njëkohësisht, kam besim se përfaqësimi i njëzëshëm i Kosovës dhe koordinimi me partnerët strategjikë do të mundësojnë edhe finalizimin e suksesshëm të dialogut të ndërmjetësuar me Serbinë”, shkruan Meta.
Mesazhin e tij, Kryeministri Rama e ka shoqëruar me një pamje të hartës së Kosovës. “Urime ditën e bekuar të pavarësisë së Kosovës të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen dhe i përjetshëm qoftë kujtimi i atyre që dhanë jetën për këtë ditë”, shkruan Kryeministri.
Ndërsa kryetari i opozitës, Lulzim Basha, në urimin e tij shprehet se është i bindur se me pjekuri, durim, forcë e mençuri, Kosova do të përballojë me sukses të gjitha sfidat përgjatë rrugës së vështirë të shtetformimit. (A2 Televizion)