
Sali Berisha njoftoi se raporti i hartuar nga Partia Demokratike për zgjedhjet e 14 majit është gati dhe sipas tij faktohen shkeljet që janë bërë gjatë gjithë procesit zgjedhor. Nga konferenca e përjavshme për mediat, Berisha tha se raporti do të publikohet javën e ardhshme dhe shtoi se ky dokument u është paraqitur ndërkombëtarëve.
“Dua t’ju informoj ju se raporti për farsën elektorale është i përfunduar. Shumë shpejt, në fillim të javës që vjen, ai do paraqitet para jush dhe opinionit publik shqiptar. Ndërkohë është paraqitur dhe vazhdon të paraqitet para opinionit publik ndërkombëtar. Ky raport, i bazuar në qindra dhe mijëra fakte, dëshmon se më 14 maj u zhvillua farsa më e turpshme elektorale pas diktaturës komuniste në Shqipëri dhe Europë.
Ky raport dëshmon se zgjedhjet e vitit 2023 ishin një proces totalisht i kontrolluar nga qeveria, një proces në të cilin shqiptarët votuan në një presion si kurrë më parë në 32 vite. Ndaj, duke qenë në përfundim të këtij raporti, u informoj se ai do paraqitet para jush si një ekspoze tërësore. Pastaj ka një projekt që do paraqitet qark pas qarku, të gjitha problematikat e mëdha.
Qëllimi është një dhe vetëm një, ndërgjegjësimi në respekt të votës së lirë, i qytetarëve shqiptarë për atë që ndodhi me votën e tyre. Vetëkuptohet se rezultate false, PD-ja nuk do njohë kurrë”, tha Berisha.
Referuar deklaratës së Berishës, duke se opozita po bëhet gati për protesta.
“Opozita është e gatshme për betejë. Po përgatitet për betejë. Opozita ka për mision rikthimin e të drejtës së votës për shqiptarët. Opozita ka qenë, është dhe mbetet e betuar për sistem parlamentar në Shqipëri.
Ky njeri që po flet këtu, në vitin 1992 ka pasur kompetenca ekzekutive dhe është shprehur që në atë kohë kundër dhe është gjithnjë kundër. Kurrë opozita nuk mund të marrë pjesë në një akt të tillë”, tha ai.
Në zgjedhjet e 14 majit, koalicioni i Sali Berishës dhe Ilir Metës morën 7 bashki nga 61 në total. (A2 Televizion)