
VE-Day, apo dita e fitores në Evropë, shënon fundin e luftimeve kundër Gjermanisë naziste në kontinentin e vjetër dhe momentin vendimtar për mbylljen e një prej kapitujve më të errët në historinë e njerëzimit, Luftës së Dytë Botërore. Mesazhi i shumëpritur i paqes erdhi nga atëherë kryeministri Winston Churchill, i cili njoftoi se lufta në Evropë kishte mbërritur në fund, pas dorëzimit të Gjermanisë naziste, një ditë më herët.
“Luftimet do të marrin fund 1 minutë pas mesnatës, të martën më 8 maj. Ne mund t’i lejojmë vetes një periudhë të shkurtër gëzimi. Sot është dita e fitores në Evropë dhe ashtu do të jetë edhe e nesërmja”.
Winston Churchill
Që prej fillimit të 1945-s, ushtria gjermane ishte dobësuar ndjeshëm dhe mposhtja kishte nisur të shpërfaqej në horizont. Fundi i gjakderdhjes dhe brutalitetit gati 6-vjeçar, u prit me emocion të madh në rrugët e qyteteve evropiane. Turma të mëdha njerëzish të veshur me ngjyrat e flamurit britanik u mblodhën jashtë Buckingham Palace në Londër, atje ku mbreti George VI dhe familja e tij, përfshirë atëherë princeshën Elizabeth dolën në ballkon për të përshëndetur.
Monarku aktual dhe motra Margaret u lejuan të largoheshin nga pallati dhe të festonin me turmën jashtë edhe pse në mënyrë të fshehtë.
Mbretëresha e përshkruan atë si një prej ditëve më të paharrueshme të jetës së saj. Por, megjithëse VE-Day solli fitoren e Evropës ndaj Gjermanisë, ajo nuk nënkupton fundin e Luftës së Dytë Botërore. Edhe pas 8 majit shumë ushtarë, marinarë dhe pilotë u dërguan në lindje për të luftuar kundër japonezëve, të cilët ende nuk ishin dorëzuar. Që e gjithë bota të festonte paqen, u deshën edhe pak muaj. Në gusht të vitit 1945, dy bomba atomike u hodhën në qytetet japoneze të Hiroshimës dhe Nagasakit. Më datën 15 të po atij muaji, aleatët zyrtarizuan fitoren ndaj Japonisë dhe fundin e Luftës së Dytë Botërore.
Japonia u dorëzua! Armiku ynë i fundit u mund! (A2 Televizion)
Clement Attlee, kryeministë britanik