
Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, autoritetet në Spanjë kanë nisur një operacion madhor kundër trafikut ndërkombëtar të kokainës në disa provinca të vendit. Mediat në vend raportojnë se vetëm në Barcelonë pritet që të shoqërohen 20 persona të lidhur me klanin shqiptar të drogës Farruku.
Duke cituar burimet, El Pais raporton se në terren kanë zbritur më shumë se 250 agjentë të agjencisë së zbatimit të ligjit në Madrid, Malaga, Toledo, Barcelona dhe Cádiz.
Hetimet nisën me kapjen e dy tonëve kokainë në portin e Algeciras. Klani Farruku, i lidhur me krimin e organizuar, grabitjet dhe trafikun e kokainës dhe krime të tjera që lidhen me trafikun e drogës, njihet në Spanjë që nga viti 2008.
Klani Farruku
Ai që mendohet të jetë lideri i klanit, Kreshnik Farruku, u arrestua në vitin 2019 në Madrid. Për të, një mandat arrestimi ishte lëshuar nga Italia që nga viti 2018, ndërsa autoritetet spanjolle po e hetonin për lidhjet e mundshme me grupin shqiptar që në vitin 2007 u fut me dhunë në shtëpinë e biznesmenit José Luis Moreno dhe për vrasjen e një burri në El Molar të Madridit në 2008.
Hetuesit dyshojnë po ashtu se Farruku qëndron pas vdekjes së shefit të tij në vitin 2010 në Calle Telémaco, Madrid. Pas kësaj ngjarje, thuhet se ai mori drejtimin e organizatës, edhe pse pak kohë më vonë u arrestua në Barcelonë me 20 kg kokainë që pritej të dërgohej në rrugë tokësore në Itali.
Pasi kreu dy vite burg, Farruku u arratis drejt Spanjës duke përfituar nga një leje. Ai arrestua sërish katër vite më pas në një hotel në Madrid, bashkë me vëllain e tij Erniu, i cili pretendonte drejtimin e klanit. (A2 Televizion)