
Forca speciale të shteteve perëndimore po operojnë brenda Ukrainës. Ajo që spekulohej prej më shumë se një viti, konfirmohet në dokumente top sekret të Pentagonit mbi luftën në Ukrainë, të cilat janë bërë publike së fundmi.
Sipas dokumenteve që datojnë më 23 mars, Britania e Madhe ka kontigjentin më të madh të forcave speciale në Ukrainë, 50 të tilla, e ndjekur nga Letonia, me 17, Franca me 15, Shtetet e Bashkuara me 14 trupa speciale dhe Holanda me 1. Aty nuk thuhet se ku janë të lokalizuara forcat dhe se çfarë po bëjnë. Edhe pse të pakta në numër, forcat speciale janë zakonisht shumë efikase. Prania e tyre në Ukrainë me gjasë do të përdoret nga Moska, e cila gjatë muajve të fundit ka theksuar se nuk po përballej vetëm me Kievin, por edhe me NATO-n. Informacionet e publikuara fillimisht në rrjetet sociale, ofrojnë një panoramë të detajuar të luftës në Ukrainë, përfshirë detaje sensitive mbi përgatitjet për një kundërofensivë, gjatë pranverës. Autoritetet amerikane, thanë se po hetojnë burimin e rrjedhjes se informacioneve.
“Po ju them se po e trajtojmë çështjen me shumë seriozitet dhe do të vazhdojmë të hetojmë e të lëvizim çdo gur derisa të gjejmë burimin dhe përmasat e vërteta të rrjedhjes së informacioneve”, deklaroi Sekretar i Mbrojtjes, Lloyd Austin.
Ndërsa ka zëra që pretendojnë pasaktësi në mesin e informacioneve, zyrtarë të Pentagonit janë cituar të thonë se dokumentet janë reale. Sipas materialeve të shqyrtuara nga disa media ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara janë pesimiste mbi gjendjen e luftës në Ukrainë, dhe e venë theksin te dobësia në armatimet dhe sisteme të mbrojtjes ajrore. Uashingtoni parashikon një ngrirje të luftës përgjatë muajve në vazhdim. (A2 Televizion)