
Për të katërtin vit mësimor, shkolla 9-vjeçare e njësisë administrative Shezë, në bashkinë e Peqinit, do të vijojë të mospresë nxënësit e zonës, për shkak të dëmtimeve që ka pësuar që nga tërmeti i nëntorit të viti 2019.
Mbi 200 nxënës të 7 fshatrave, do të detyrohen edhe këtë vit mësimor të shkojnë me turne në një tjetër shkollë, disa kilometra larg, e cila gjithashtu ka probleme.
Banorët e zonës shprehen se pavarësisht premtimeve, deri më tani, askush nuk ka vënë dorë në shkollën që vijon rrënimin, ndërsa vështirësitë e fëmijëve dhe të mësuesve duket se nuk i llogarit njeri.
Edhe nxënësit shprehen se mungesa e shkollës në njësinë e tyre i shkakton problemë, që nga cilësia e mësimit e deri te vështirësitë e tjera me rrugën.
Në të tilla kushte, këtyre banorëve dhe nxënësve nuk u mbetet gjë tjetër vetëm të shpresojnë që shkolla të rindërtohet në vitin 2023, sipas premtimeve më të fundit. (A2 Televizion)