
Është rikthyer funksionimi i sistemit TIMS edhe në Pikën Kufitare në Portin e Durrësit.
Imbarkimi i pasagjerëve që do të udhëtojnë me dy tragetet e mbrëmjes drejt Barit po kryhet normalisht.
Në një reagim gjatë kësaj të diele, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, falënderoi partnerët amerikanë për ndihmën dhe bëri një panoramë të pikave kufitare që tashmë e kanë rifilluar punën normalisht.
“Përgëzime ekipit të IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për punën pa ndërprerje që nga minuta e parë e sulmit kibernetik, për të rivënë në funksionim sistemet tona dhe veçanërisht atë TIMS. Gjithashtu falënderoj partnerët amerikanë që kanë qenë pranë edhe në këtë rast e po bëjnë çdo përpjekje për ta bërë Shqipërinë sa më të sigurt. Prej mesnatës sistemi TIMS është rikthyer në funksion të plotë në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas.
Po kështu është rivënë në punë edhe në pikat e tjera kufitare të vendit: Hani i Hotit, Kapshticë, Muriqan, Morinë, dhe Kakavijë. Aktualisht ekspertët tanë po vijojnë punën e pandërprerë për rikthimin e sistemit TIMS në Pikat e tjera të Kalimit Kufitar si dhe po marrin masat nevojshme për të mos pasur më ndërprerje”, shkruan Çuçi. (A2 Televizion)