201 ankime në 29 muajt e bllokimit të Gjykatës Kushtetuese, zbulohen vendimet për moskalim

Nga A2 CNN
4 Nëntor 2020, 19:12 | Aktualitet

Në majin e vitit 2018, Gjykata Kushtetuese doli jashtë funksionit për shkak të procesit të vetingut. Ajo nuk kishte më numrin minimal të 6 gjyqtarëve për të dalë në seancë gjyqësore. Për këtë shkak, nga ky moment të gjithë ankimet që depozitoheshin në këtë gjykatë, që bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës, regjistroheshin dhe arkivoheshin në pritje të gjykimit.

Burime zyrtare të Kushtetueses konfirmuan për A2 se nga bllokimi i gjykatës më shumë se dy vite më parë e deri në tetor të këtij viti totali i ankimeve të depozituara në të është 201. Ankimuesit janë palë në gjykime të zakonshme penale, apo civile, por edhe institucionet më të rëndësishme të vendit, si Presidenti i Republikës. Kushtetuesja nisi të shpluhrosë dosjet pas nëntorit 2019, kur trupës së saj të përbërë vetëm nga anëtarja Vitore Tusha, iu shtuan anëtaret Elsa Toska, Marsida Xhaferrllari dhe Fiona Papajorgji. Emërimet e reja krijuan mundësinë e krijimit të Kolegjeve me tre anëtarë, për të bërë të mundur shqyrtimin paraprak të ankimeve, ku vendoset nëse ankimet do të kalojnë apo jo për shqyrtim në seancë gjyqësore.

Nga nëntori i vitit 2019-2020 kolegjet tre anëtarëshe të Gjykatës Kushtetuese kanë marrë në 136 raste për moskalim të ankimeve në shqyrtim gjyqësor.

Kjo do të thotë që diferenca prej 65 dosjesh i përket totalit të rasteve ende të pashqyrtuara paraprakisht dhe atyre të kaluara për shqyrtim, siç është edhe ankimi i Presidentit kundër ligjit që i hapi rrugë prishjes së Teatrit Kombëtar, apo vlefshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019. Aktualisht, KED po punon për plotësimin e tri vendeve të lira në Kushtetuese, për të cilët po filtron 15 kandidatura në total. Me qëllim të garantimit të një procesi transparent, KED kërkoi, të mërkurën, bashkëpunim nga institucionet publike, shoqëria civile, publiku e media për informacion në lidhje me kandidatët.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos