"3 yjet" e 1 kg kokainë, burg me afat të rinjve, 27-vjeçari: Ruajta pakon, s'e dija ç'kishte!

Nga A2 CNN
2 Shtator 2023, 13:01 | Kronikë

Tre të rinjtë e arrestuar nga operacioni policor i koduar“3 yjet”, sipas stampës mbi sasinë prej 1 kg e 52 gramë kokainë për të cilën u prangosën, do të qëndrojnë në masa sigurie “arrest në burg” me afat.

Në ndryshim nga kërkesa e prokurorisë, për izolimin e tyre në paraburgim deri në fund të hetimit, gjykata caktoi “arrest në burg” me afat 45 ditor për të dyshuarin Genis Mustafa dhe me nga 30 ditë për të dyshuarin Robert Domi dhe Andrea Dema.

Gjatë kësaj kohe, prokuroria duhet të kryejë të tjera verifikime, mes të cilëve këqyrjen e kamerave të sigurisë të zonës pranë vendit të arrestimit në krah të rrugës “Myslym Shyri” në kryeqytet, pyetjen e disa personave të referuar nga të arrestuarit, si edhe verifikimet e kontakteve të tyre telefonike.

Përmes avokatëve të tyre, të dyshuarit mbajtën qëndrim mohues për akuzën dhe kanë pretenduar se janë futur në kurth nga një i infiltruar i policisë. 27-vjeçari Genis Mustafa, që punonte si banakier, ka pohuar se i ishte lënë në ruajtje një pako, si porosi të një të njohuri të tij, pa ditur se në të kishte drogë.

Më 31 gusht ai person e kishte telefonuar dhe kërkuar këtë porosi. Pasi kanë pirë një kafe, kanë shkuar ta marrin pakon, të lënë në automjetin e parkuar në rrugën “Vangjush Furxhi”, pak metra larg Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Kur ka ndërhyrë policia, sipas Mustafës, personi tjetër, i pretenduar nga avokatët si i infiltruar, është lejuar të largohet. Dy të arrestuarit e tjerë kanë pohuar se nuk kishin njohje dhe as komunikime me Mustafën, por vetëm ndodheshin pak metra larg tij në momentin e arrestimit.

Gjatë seancës avokatët kanë ngritur pretendime për shkelje procedurale, pasi sipas tyre, në dosje nuk ka autorizim nga prokuroria për veprime të simuluara.

Nga ana tjetër, prokurori në sallën e gjyqit pretendoi se të dyshuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë për llogari të disa rrjeteve shpërndarësish në rrugën "Myslym Shyri", në “Rrugën e Durrësit” dhe në zonën e “21-Dhjetorit”. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/08/31/shperndanin-kokaine-tre-yjet-ne-mes-te-tiranes-ne-pranga-tre-te-rinj/

A2 CNN Livestream

Latest Videos