Humbje deri në 35 milionë euro, eksportuesit paralajmërojnë shkurtim të punonjësve dhe protesta

Nga A2 CNN
4 Shtator 2023, 13:21 | Ekonomi
Humbje deri në 35 milionë euro, eksportuesit paralajmërojnë

Përballë luhatjeve të vazhdueshme të monedhës europiane, pasojat qenë gati fatale për eksportuesit shqiptarë në 6 muajt e parë të vitit.

Në një bilanc të parë të humbjeve në fillim të vitit, ku llogariten në vlerën e 7,7 milionë Euro, diferenca është thelluar gjithnjë e më tepër, duke arritur në qershor shifrën e 34,8 milionë eurove.

“Ne jemi përpjekur të marrim masa, por nuk rikuperojnë humbjet e mëdha. Po kërkojmë të negociojmë me ato kompani duke u shpjeguar situatën, por na penalizon në rritje çmimi se mund të marrin në vend tjetër duke humbur klientelën. Hapi i dytë është rishikimi i kontratave të mbyllura të cilat janë vështirë pasi ata i kanë përcaktuar çmimet.”

Ndër sektorët me humbjet më të lartë nga kursi i këmbimit vlerësohen ai i veshjeve dhe këpucëve me fuqi punëtore, prej 200.000 të punësuarish.

Pas një situate të vështirë të rekrutimit të punonjësve, sipërmarrësit e kompanive eksportuese, e konsiderojnë shkurtimin e punonjësve si një hap të parë drejt falimentimit.

“Në rast se ne do të marrim masa për heqjen e punonjësve, të cilët mezi i kemi marrë nga India duke paguar një sërë kostosh dhe duke stabilizuar disi sektorin përsa i përket punësimit, do të ishte hapi i parë drejt falimentimit tonë.”

“Nga janari në një situatë pozitive ku sektori të manifakturës i duheshin rreth 20 mijë punonjës erdhëm në një tjetër situatë ku disa sektorë të kësaj industrie kanë problem dhe kanë filluar t’i adresojnë punëtorët drejt zyrave të punës për asistencë. Ose në shtator mbas pushimeve, ka mundësi që një pjesë të reduktojnë linjat ose të diversifikojnë biznesin”

Në mungesë të mbështetjes nga ana e qeverisë, shoqatat e eksportuesve paralajmërojnë protesta.

“Do lihet kohë deri në mesin e shtatorit për të parë si do jetë situata, së bashku me ata që do i bashkohen nismës tonë, në rast të mos mbështetjes së negociatave nga qeveria, mund të protestojmë në mënyrë paqësore para Bankës së Shqipërisë apo Kryeministrisë.”

Sipas INSTAT, vlera totale e eksporteve në 2022 arriti në 486 miliardë lekë, ku pjesa më e madhe ishin në euro.

Nga një zhvlerësim i monedhës europiane me 6.6 lekë në harkun kohor të një viti, në 2022 u regjistruan 225 milionë euro humbje. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos