Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka kërkuar nga Qeveria e Prishtinës që të heqë masat për importet nga Serbia, pasi sipas këtij institucioni, një vendim i tillë po prek edhe importet nga kompanitë në pronësi amerikane.
Më 15 qershor, pasi forcat serbe arrestuan tre policë të Kosovës, Qeveria në Prishtinë ndaloi pothuajse të gjitha importet nga Serbia. Policët më pas u liruan, por ekzekutivi kosovar mbajti në fuqi ndalesën për importet.
Sipas Odës Ekonomike Amerikane ky vendim ka bërë që importet nga kompanitë në pronësi amerikane të bien për më shumë se 39 për qind, krahasuar me vitin paraprak, duke u reduktuar “me një ritëm alarmues”.
“Masa, e cila shënjestron Serbinë dhe produktet e importuara nga ky shtet, në fakt ndikon në kompanitë ndërkombëtare. Shumë prej këtyre bizneseve janë në pronësi të kompanive nga shtetet partnere, përfshirë SHBA-në, që ka qenë shtylla kyçe në mbështetjen e trajektores së rritjes së Kosovës”.
Sipas të dhënave, në qershor dhe korrik të këtij viti, vlera e importeve serbe ishte afërsisht 20 milionë euro, apo mbi 50 milionë euro më pak se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Siç raportohet, importet nga Serbia po zëvendësohen me ato nga shtetet e tjera, kryesisht nga Maqedonia e Veriut.
OEAK tha se dhe në të kaluarën ka kundërshtuar barrierat tregtare nga Kosova për importet e shteteve fqinje.
“Marrëdhëniet e mira fqinjësore janë parakusht kryesor për integrimin euroatlantik të Kosovës. Masat aktuale, për fat të keq, janë në kundërshtim me thirrjet e aleatëve ndërkombëtarë të Kosovës, të cilët kërkojnë marrëdhënie harmonike rajonale. Prandaj, Oda Amerikane thekson se normalizimi ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë i kapërcen interesat bilaterale.”
Kosova importon mesatarisht çdo vit, mallra me vlerë prej 5 miliardë eurosh nga vendet e ndryshme të botës, ndërsa eksportet janë më pak se 1 miliard euro. (A2 Televizion)
