Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi “aleatët e Rusisë” se përmes dezinformimit dhe sjelljeve të tjera dashakeqe në fushën kibernetike, po ndikojnë në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Gjatë deklaratës së tij në samitin “Open Government Partnership” në Talin të Estonisë, numri një i ekzekutivit të Prishtinës paralajmëroi se këto veprime në Kosovë janë duke u intensifikuar.
“Në Kosovë, përpjekjet nga aleatët e Rusisë për të shtrembëruar të vërtetën, të kaluarën dhe të tashmen, janë të dukshme dhe po intensifikohen. Gjatë një momenti të rëndësishëm, kur shteti ynë është i përkushtuar në procesin e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për të normalizuar raportet me fqinjin tonë verior, Serbinë, por edhe për përfshirjen e plotë të minoriteteve në proceset demokratike të shtetit, pa ndikim nga jashtë, këto kërcënime kibernetike, sikurse dezinformimi, bullizimi kibernetik dhe forma të tjera janë veçanërisht të dëmshme”, tha Kurti.
Edhe në të kaluarën, autoritetet në Kosovë, e kanë drejtuar gishtin nga Rusia, duke e akuzuar se po shtyn aleaten e saj Serbinë që të nxisë tensionet në veriun e banuar me shumicë serbe. Po ashtu, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht kanë paralajmëruar për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor.
Në një raport të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë thuhej se ndikimi i Rusisë në Kosovë mund të interpretohet si “keqdashës” dhe “armiqësor”, ndërsa u theksua se operacionet ruse të ndikimit janë kryesisht të kufizuara te serbët në veri.
Komentet e bëra nga Kurti të mërkurën, vijnë disa ditë pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se Serbia synon të zbatojë një plan të ngjashëm me atë që zbatoi Rusia në Ukrainë më 2014, duke iu referuar aneksimit të gadishullit të Krimesë. (A2 Televizion)
