Ndryshimet në qeveri, vendimet e Ramës shkojnë për dekretim në Presidencë

Nga A2 CNN
6 Shtator 2023, 14:44 | Politikë
Ndryshimet në qeveri, vendimet e Ramës shkojnë për dekretim

Vendimet e Edi Ramës për të ndryshuar drejtimin e shtatë ministrive kanë mbërritur në institucionin e Presidencës në pritje të një firme nga Bajram Begaj.

Kërkesa është protokolluar nga institucioni, por nuk do të marrë një përgjigje të shpejtë nga ana e kreut të shtetit për shkak se ai është nisur në një vizitë zyrtare në Kazakistan.

Të hënën, Rama njoftoi ndryshimin e 40% të kabinetit të tij qeveritar, duke lëvizur 7 ministra nga drejtimi i dikastereve përkatëse.

Ministër i Financave dhe Ekonomisë – Ervin Mete

Ministër i Punëve të Jashtme – Igli Hasani

Ministër i Arsimit dhe Sportit – Ogerta Manastirliu

Ministër i Bujqësisë – Anila Denaj

Ministër i Shëndetësisë – Albana Koçiu

Ministër Shteti për Sipërmarrjen – Delina Ibrahimaj

Ministër Shteti për Pushtetin Vendor – Arbjan Mazniku.

Në mbledhjen e asamblesë së PS-së, Rama bëri publike emrat e rinj që do t’i bashkohen qeverisë, lëvizjet brenda kabinetit, rikthimet. Përveç largimeve, kryeministri vendosi të shkrijë Ministrinë e Shërbimeve dhe të rikthejë Ministrinë e Pushtetit Vendor që do të drejtohet nga nënkryetari i Bashkisë së Tiranës.

Olta Xhaçka, e cila u përjashtua nga qeveria e Ramës, tashmë do të jetë vetëm deputete e PS-së. Mandat për te cilin duhet të përgjigjet në Kushtetuese, për konflikt interesi për shkak se bashkëshorti i saj mori statusin e investitorit strategjik kur ajo ishte pjesë e kabitenit si ministre e Jashtme.

Hetimet nga BE-ja për fondet e IPARD e kanë lënë Frida Krifcën jashtë politikës aktive. Gjithashtu, edhe ministrja pa portofol Edona Bilali tani do të shërbejë vetëm si deputete e mazhorancës, ndërsa për dy anëtarët e tjera të qeverisë, Evis Kushi dhe Milva Ikonomi, pasi i largoi nga ekzekutivi Rama u dha poste në parti.

Para se të mësonin ndryshimet në qeveri apo emrat e rinj të sekretariateve të selisë rozë, socialistët ishin të detyruar të dëgjonin më shumë se 60 minuta kryetarin e tyre të fliste për Turizmin dhe Drejtësinë. Këtë të fundit, Edi Rama e cilësoi si kryebetejën e PS-së, duke e vendosur si mburojë për qëndrimin e tij përballë pretendimeve të Greqisë për rastin Beleri, probleme me korrupsionin të pushtetarëve të majtë apo dëshirës së tij për veprim edhe në kampin kundërshtar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos