Përmbytjet katastrofike në Greqi, viktima e të zhdukur, uji fundos fshatra të tërë

Nga A2 CNN
7 Shtator 2023, 13:26 | Ballkani
Përmbytjet katastrofike në Greqi, viktima e të zhdukur, uji

Një çift austriak që gjendej për muaj mjalti në Greqi, është shpallur i zhdukur pas vërshimeve të dhunshme që përfshinë vendin duke shkaktuar dëme të përmasave biblike. Siç raportohet, çifti ishte strehuar brenda shtëpisë një njëkatëshe që kishte marrë me qira  në zonën bregdetare të Potistika, pranë Malit Pelion, por ajo u fashit nga furia e ujit. 

Shërbimet e emergjencës, thanë se një ekip në zonë po zhvillon kërkime për çiftin, ndërsa vijojnë përpjekjet edhe për gjetjen e personave të tjerë të zhdukur. Greqia qendrore u përball me përmbytje katastrofike si pasojë e stuhisë Daniel, me qytetarët që mbetën të bllokuar në tarracat e banesave, pasi uji mbuloi fshatra të tëra.

“Kjo ishte stuhia më e fuqishme që kam përjetuar ndonjëherë. Kishte aq shumë rrufe dhe reshjet ishin aq të dendura sa dukej sikur qëndroje në dush gjatë gjithë ditës. Ishte e tmerrshme, shihni ç’dëme ka shkaktuar”.

Të paktën 4 viktima janë konfirmuar në Greqi, e mbi 10 të tjerë kanë humbur jetën në Turqi e Bullgari, vende që gjithashtu u goditën nga përmbytje masive. Disa rajone greke përjetuan deri në 800 mm shi në ditët e fundit, më shumë se sa regjistrohen normalisht në një vit. Zona në Karditsa në qendër të Greqisë, përshkruhen të jenë kthyer në liqen, me fshatrat rreth Palamas të zhytura në ujë.

Kryebashkiaku i Palamas ,Giorgos Sakellariou, bëri një thirrje dramatike për ndihmë në televizion, duke thënë se njerëzit atje janë të bllokuar nëpër shtëpi dhe përballen me rrezik real. Sipas tij, uji në disa zona ka arritur në 1.5 apo 2 metër lartësi dhe ulërima dëgjohen nga brenda banesave.

“Situata  është tragjike, njerëzit do të mbyten”, paralajmëroi ai. Moti ekstrem goditi gjithashtu Athinën dhe ishullin e Skiathos, ashtu si zonat bregdetare të Volos dhe Pelion ku thuhet të jenë mbyllur të gjitha rrugët. Pamjet dramatike tregojnë rrugë e ura të shkatërruara. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos