Muajt e gjatë të luftës brenda Partisë Demokratike u shoqëruan me sulme personale edhe mes Sali Berishës dhe Gazment Bardhit. Tani që u ulën bashkë në të njëjtën tryezë, duke bashkuar deputetët përkatës, kreu i Rithemelimit tregoi përse ndryshoi qëndrim, teksa u shpreh i gatshëm ta njohë Bardhin edhe si kryetar grupi.
“Gazment Bardhi është i ftuar me gjithë deputetët që mbështetën haptas primaret dhe këtu ishte një ndryshim themelor. Se kishim të bënim me një qëndrim ndaj një procesi fondamental në PD. E kam shprehur në mënyrën e përsëritur edhe publikisht, edhe privatisht që Bardhi është i mirëpritur të votohet edhe për kreun e grupit të PD”, deklaroi Berisha.
Lideri historik i Partisë Demokratike pohoi se për zgjedhjet e vitit 2025 mund të mos jetë kandidat për kryeministër, duke treguar edhe formulën se si do zgjidhet kreu i ri i ekzekutivit nëse opozita fiton garën.
“Jam i vetmi kryetar partie në botë që kam deklaruar se pas fitores së zgjedhjeve, nuk do të thotë automatikisht kryeministër, por një garë e dytë”, tha Berisha.
I pyetur nëse pjesë e afrimit me Bardhin ishte edhe një marrëveshje për ta bërë atë kryeministër, Berisha zgjodhi përgjigjen indirekte.
“Të gjitha hipotezat mund të ngrihen, por Sali Berisha nuk mund të frenojë njeri, as Gazment Bardhin që të marrë pjesë në garë brenda PD”, theksoi ai.
A2 CNN e pyeti nëse ka ardhur koha të regjistrojë një sigël të re partiake, përsa kohë edhe zgjedhjet e pjesshme në Kukës treguan se ai vijon të gjejë strehë nën siglën e partisë së Ilir Metës. Efekt – Durim, por ne vendin do ia tregojmë atij. (A2 Televizion)