Franca hipotekon kualifikimin, Holanda e ndjek

Nga A2 CNN
8 Shtator 2023, 12:51 | Futboll
Franca hipotekon kualifikimin, Holanda e ndjek

Franca konfirmohet si skuadra më e fort e grupit B kualifikues. Nënkampionët e botës regjistruan fitoren e pestë në po kaq ndeshje të luajtura dhe hipotekuan kualifikimin në finalet e Euro 2024.

Gjelat mposhtën 2-0 Irlandën, me golat e Çuameni dhe Turam, me këtë të fundit që u aktivizua në vend të të dëmtuarit Zhiru. Pas këtij suksesi të lehtë, Franca e sheh veten në kuotën e 15 pikëve, duke ruajtur ecurinë perfekte.

Skuadra e Deshamp është shfaqur e frikshme me 11 gola të shënuar dhe asnjë të pësuar. Tashmë garancia matematike për pjesëmarrjen në aktivitetin më të rëndësishëm kontinental është gjithmonë e më afër.

Shenja ringjalljeje për Holandën, që regjistroi triumfin e dytë në tre ndeshje të luajtura dhe ngjitet në vendin e dytë të grupit me 6pikë, aq sa ka edhe Greqia.

Tulipanët fituan duelin direkt pikërisht me helenët, me rezultatin 3-0, ku Dumfris i Interit ishte protagonist me tre asist, të cilët u shfrytëzuan nga De Roon, Gakpo dhe Veg-horst. Tashmë Holandën e pret një tjetër sfidë direkte për vendin e dytë, ku do të luajnë në Dublin kundër Irlandës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos