Katër muaj para se të skadojë afati për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi për të ligjëruar votën e emigrantëve shqiptarë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, lëvizja “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” propozoi në një tryezë publike në Tiranë, në prani të Komisionerit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, një projektligj konkret.
“Risi shtesë është se kemi sjellë nene shtesë dhe në kreun 10 kemi përcaktuar mënyrën e votimit. Ne jemi bazuar në model gjerman, por gjithashtu kemi bërë studime edhe në 20 vende të tjera, përfshirë dhe Kosovën”, tha Florian Haçkaj.
Detajet se pse kanë zgjedhur modelin gjerman si shembull votimi, themeluesi i lëvizjes së Diasporës, Florian Haçkaj, i dha në studion e A2 CNN: “Dërgohet një zarf, bën një kërkesë në KQZ ku jeton, të vjen posta për konfirmim dhe fleta e votimit, voton dhe në një moment të dytë hapet vota e diasporës. Nuk duam postën shtetërore për shkak të besimit të ulët që kemi tek siguria e fshehtësisë”.
Ndonëse shprehet optimist se afatet do të respektohen dhe emigrantëve do t’i jepet mundësia që të votojnë në zgjedhjet pasardhëse parlamentare, Haçkaj tregon hapat që do të ndërmarrin nëse kjo injorohet nga politika: “Protesta, Gjykata e Strasburgut… të gjitha sepse është vendim kushtetues”.
Mungesa e vullnetit politik për t’i dhënë të drejtë vote diasporës, sipas Haçkajt, vjen për shkak të frikës që partitë kanë ndaj ndryshimit që ajo sjell për arenën politike. (A2 Televizion)