Mali i Zi, mal dhe det

Nga A2 CNN
9 Shtator 2023, 15:30 | Ballkani
Mali i Zi, mal dhe det

Mali i Zi është një nga vendet ku shqiptarët zgjedhin të kalojnë pushimet e verës. Mund të ofrojë det dhe mal, kulturë e turizëm bashkë. Por, më së shumti ofron takimet me miqtë që për disa mund t’i kenë ndarë edhe vitet e largësia.

Pak kohë më parë, A2 CNN udhëtoi drejt Ulqinit, ku mbahet për çdo vit në verë, në shëtitoren e gjallë nga muzika e të rinjtë, edhe libri shqip, por Mali i Zi nuk ka vetëm këto potenciale. Ndonëse njihet më së shumti për detin, pamjet fantastike në Kotor, Svevi Stefan në Budva, brigjet detare të mbushura me klube, e klubet e mbushura me të rinj që shijojnë Malin e Zi deri në orët e vona të mbrëmjeve.

Prej vitesh, Gëzim Hajdinaga është një nga shqiptarët e suksesshëm që ka pritur në Ulqin qindra mijëra shqiptarë emigrantë që kur pushojnë këtu, duket se shuajnë mallin e një viti që u është dashur të punojnë larg trojeve shqiptare.

E ndonëse në verë koha e mirë të fton të kridhesh në ujëra detare, ne do t’ju përcjellim edhe një tjetër panoramë. Shteti fqinj i Malit të Zi nuk njihet vetëm për turizmin bregdetar me Ulqinin dhe Budvën, por ka edhe turizmin malor. Prej disa dekadash, gjithnjë e më shumë shqiptarët e Malit të Zi po i braktisin trojet e tyre duke emigruar kryesisht në ShBA, ata rikthehen të gjithë në verë, në këto male, lugina e troje që nuk i braktisën kurrë.

Plava e Gucia, ujrat e Ali Pashës, festa kombëtare e shqiptarëve dhe boshnjakëve në këto zona i bëjnë ditët e para të gushtit të gumëzhijnë nga hareja, kostumet tradicionale, por edhe gjuha që i bashkon të gjithë aty. Emigrimi gjithsesi nuk është zgjedhja e të gjithëve. Ka nga ata që kanë vendosur të qëndrojnë, të qëndrojnë madje duke promovuar këto vise, duke nxjerrë në pah vlerat historike dhe bukuritë natyrore të këtyre zonave.

Anton Pllumaj është një i ri i cili bën guidën e turistëve në zonat e malësisë së Tuzit, në Malin e Zi. Hoti, Gruda dhe Trieshi janë disa nga vendet ku Antoni si udhërrëfyes drejton vizitorët. Duke iu treguar për vlerat historike dhe natyrore të këtyre zonave ku gjenden disa shpella të mëdha të cilat, sipas tij, u kanë shërbyer banorëve për t’iu fshehur armikut, duke u bërë si fortesa për të ruajtur identitetin shqiptar, Antoni i tregon edhe një pjesë të dramës së dikurshme të shqiptarëve.

Po, shteti fqinj i Malit të Zi është joshës që nga Shkodra. Liqeni fantastik i Shkodrës që gjarpëron edhe në Mal të Zi është një nga bukuritë që lidh dy vendet tona. Nëse shkoni aty do të gjeni manastire idilike nëpër ishuj e nëse jeni me fat për shkak të motit të ngrohtë, do të mahniteni edhe nga shpendët që mund të gjeni këtu.

Por, edhe nëse jo, mjafton natyra për ta kuptuar potencialin e këtij vendi.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos