“Përpjekje për të larë pak fytyrën, por që e nxinë akoma më shumë.” Kështu i ka cilësuar kreu i Rithemelimit Sali Berisha, ndryshimet e bëra së fundmi në qeverinë Rama.
Berisha, deklaratat i bëri pas mbajtjes së seancës së sotme plenare, gjatë së cilës u votuan dekretet e Presidentit Bajram Begaj për shkarkimin dhe emërimin e ministrave të rinj.
Sipas kreut të Rithemelimit, të gjitha ndryshimet e qeverisë “kishin diktat vetëm krimin”.
Ndërsa, tek komentonte ndryshimet në kabinetin Rama, Berisha foli për ekzistencën e një videoje, që sipas tij, u bë shkak që Elisa Spiropali të mos emërohej ministre e Jashtme.
Berisha thotë se në videon që thuhet se po qarkullon, ministrja e Shtetit për Parlamentin, shihet teksa bën një mbledhje me anëtarë të bandave të Shkodrës.
“…Largohet Xhacka, e cila pasi bëri burrin investitor strategjik në shkelje të Kushtetutës, u vërsul e papërmbajtur drejt pronave të ushtrisë. Nuk la pronë pa vjedhur dhe përvetësuar me klanin e saj. Po zëvendësohet me një diplomat i cili bën një gabim fatal të jetës së tij, pasi ishte zgjidhja e minutës së fundit. I kishte bërë Spiropali përgatitjet. Një video që doli në rastet e fundit, në të cilën ajo bënte mbledhje me Bajrët dhe Pëllumb Gjokën, në një hotel afër qendrës. Kjo detyroi, thonë, Ramën që ta anulojë emërimin e saj.”
Akuzat nuk munguan edhe për “mollët e tjera të kalbura” në shportën e qeverisë Rama, sipas ish-kryeministrit.
Për Maznikun, Berisha deklaroi se është përfaqësuesi direkt i Ndrangheta-s në Shqipëri kurse “Krifca ndoqi shembullin e Xhaçkës duke përfshirë bashkëshortin në skema të vjedhjes së parave të taksapaguesve shqiptarë.”
Në tërësi, emërimet e reja, për Berishën, janë thjesht disa anëtarë të rinj të atij që e cilësoi si “ansambli i krimit dhe i drogës” në qeverinë Rama. (A2 Televizion)
