Dita e parë e shkollës është një nga ditët më të shtrenjta për prindërit. Pajisja me libra ofrohet falas, shumica e tyre me libra të përdorur, për të gjitha klasat e shkollave 9-vjeçare. Mirëpo pjesë e ditës së parë të shkollës janë edhe sendet e tjera mësimore për fëmijët. Por sa shkon kostoja mesatare për një fëmijë?
Gazetari i A2 CNN, Armend Pire, ka qenë së bashku me Dean Elezin, nxënës i klasës së pestë, për të blerë disa mjete shkollore. Deani kishte nevojë për çantë, fletore, vizore, stilolapsa, ngjyra, gërshërë, portofol dhe mbështjellëse për librat e fletoret.
Të gjitha këto mjete, kushtuan 8 mijë e 500 lekë të reja, një çmim mesatar edhe sipas shitësve në kancelari. Minimalisht, prindërit shpenzojnë nga 3 mijë lekë për sendet shkollore e deri maksimumi në 120 mijë lekë.
Kësaj pagese për ditën e parë të shkollës i shtohet edhe blerja e librave të rinj, nëse librat e marrë falas janë të vjetër, të keqpërdorur apo jashtë funksionit normal për mësimnxënie. (A2 Televizion)
