Shkolla dhe klasa të para më pak se vitin e kaluar mësimor dhe natyrisht edhe më pak nxënës. Kjo është situata në ditën e parë të vitit të ri mësimor në qarkun e Korçës.
Këtë fakt e pohon pa shifra konkrete edhe drejtoresha e zyrës vendore të arsimit parauniversitar, Vinjola Rrota. “Kemi 6 klasa të mbyllura në Qarkun e Korçës. Këtë vit kemi një rënie të numrit të regjistrimeve, por më vonë do t’iu japim një shifër të plotë”, shprehet Vinjola Rrota, drejtoreshë e ZRA, Korçë.
Sakaq për kryetarin e sindikatës së pavarur të arsimit në Bashkinë e Maliqit, ulja e numrit të nxënësve dhe mbyllja e shkollave përveç të tjerave, po rrezikon punën dhe të ardhurat e vetme për shumë mësues me të cilat mbajnë familjet e tyre. “Kemi arritur aty ku klasat po katandisen me një situatë me nga 5 nxënës dhe ky është një problem i madh. Një klasë me 2 nxënës nuk mund të hapet. Kjo do të thotë se një mësues që mund të ketë 15 vite punë, nëse nuk ka fëmijë, nuk ka mundësi që të marrë rrogën që mban familjen e tij”, shprehet Ardi Gërmenji, kryetar i SPA, Maliq.
Ulje të numrit të nxënësve, si në klasat e para ashtu edhe në ato të 10-ta të arsimit parauniversitar, janë shënuar edhe në shkollat e bashkive të Vlorës dhe Himarës. Por drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit për këto bashki ka një këndvështrim tjetër të situatës. “Në Vlorë nuk kemi shkolla, të cilat mbyllen, nuk kemi mësues që suprimohen nga pozicionet e punës. Madje përkundrazi, për shkak të politikave të Ministrisë së Arsimit dhe uljes së numrit në klasave, veçanërisht në zonat rurale, është mundësuar që të rriten standardet për cilësinë e mësimdhënies”, shprehet Irena Toshkallari, drejtoreshë e ZRA, Vlorë/Himarë.
Sikur të mosmjaftojë ulja e vazhdueshme e numrit të nxënësve, edhe këtë vit mësimor kërkohen ndërhyrje emergjente në disa shkolla ne qytet dhe zona rurale. (A2 Televizion)
