Pas Greqisë, stuhia Daniel godet Libinë duke shkaktuar përmbytje katastrofike. Sipas autoriteteve të qeverisë në lindje me bazë në Bengazi, e cila nuk njihet ndërkombëtarisht, vdekjet i kanë tejkaluar 2 mijë, dhe mijëra të tjerë janë të zhdukur. Megjithatë, verifikimi i shifrave mbetet i vështirë, në një vend të ndarë politikisht në lindje dhe perëndim, me dy administrata rivale dhe ku shërbimet publike kanë degraduar ndjeshëm, që prej kryengritjes së mbështetur nga NATO në 2011.
“Sipas të dhënave të fundit, ashtu siç njoftoi edhe kryeministri i Libisë, vetëm në qytetin e Dernas janë shënuar më shumë se 2 mijë viktima. Ka gjithashtu rreth 5 mijë deri në 6 mijë persona të zhdukur”, deklaroi zëdhënësi i ushtrisë kombëtare, Ahmed Mismari.
Stuhia preku tokën libiane të dielën duke shkatërruar rrugë e ndërtesa në qytetin e Dernës, e duke goditur edhe zona të tjera përgjatë bregdetit përfshirë qytetin e dytë më të madh të Libisë, Benghazi.
Autoritetet në lindje shpallën gjendjen e jashtëzakonshme, shtetrrethim, si dhe mbyllën shkolla, dyqane e porte. Shtatë pjesëtarë të ushtrisë u deklaruan të humbur gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit.
Kryqi i Kuq bëri të ditur se të paktën 150 banesa ishin shkatërruar, ndërsa në Derna, ku jetojnë rreth 100 mijë njerëz, dy diga ishin shembur duke shkaktuar përmbytjen e zonave të afërta. Autoritet e shpallën qytetin-port, si zonë katastrofe. Edhe qeveria e njohur nga ndërkombëtarët në Tripoli, është përfshirë në menaxhimin e krizës, me kryeministrin, Abdulhamid Dbeiba që tha se kishte udhëzuar të gjitha agjencitë shtetërore të merren me dëmet dhe përmbytjet. (A2 Televizion)
