Vijon të rritet në përmasa tepër të frikshme bilanci i viktimave në Marok, si pasojë e tërmetit shkatërrimtar që goditi vendin dy ditë më parë.
Sipas të dhënave më të fundit të qeverisë, mbi 2700 persona kanë humbur jetën, teksa mijëra të tjerë kanë mbetur të lënduar.
Ekipet e kërkim shpëtimit vijojnë betejën e tyre me kohë për gjetjen e të mbijetuarve, pasi shumë persona mungojnë në apel.
Qeveria e Marokut është nën presion që të pranojë më shumë ndihmë ndërkombëtare, pasi deri në këto momente kanë shkuar vetëm ekipe nga Spanja, Britania, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Situata më e rënduar në atë që konsiderohet si tërmeti më i fuqishëm në 100 vjet është në zonat rurale, ku fshatra të tërë në rrëzë të maleve Atlas janë rrënuar, kjo dhe për shkak të konstruksioneve jo të përshtatshme.
Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se më shumë se 300 mijë persona në vend janë prekur nga katastrofa dhe kanë nevojë për ndihmë emergjente, teksa dëmet janë kolosale dhe mund të nevojiten vite për rimëkëmbjen. (A2 Televizion)