Ministrat e rinj të qeverisë Rama janë betuar, paraditen e së martës, para Presidentit të Republikës, Barjam Begaj.
Një ditë më parë, Kuvendi miratoi pjesërisht ndryshimet në qeveri, edhe pse Kreu i Shtetit dekretoi të gjitha propozimet e kryeministrit Edi Rama. Duke mbetur peng i procedurave deri në seancën e radhës, në seancën e posaçme u votuan te gjitha shkarkimet e ministrave, ndërsa u emëruan vetëm 5 lëvizjet në qeveri.
Konkretisht, Ervin Mete, i emëruar nga kryeministri Edi Rama si ministër i Financave, dje u shkarkua si drejtor i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe brenda pak ditësh pritet që emri i tij të shkojë për dekretim në Presidencë dhe më pas të miratohet nga Parlamenti.
Shkarkimi i Olta Xhaçkës si ministre e Jashtme: 95 pro, 1 kundër, asnjë abstenim.
Shkarkimi i Ogerta Manastirliut si ministre e Shëndetësisë: 110 pro, asnjë kundër, asnjë abstenim.
Shkarkimi i Evis Kushit si ministre e Arsimit: 99 pro, 3 kundër, 1 abstenim.
Shkarkimi i Frida Krifcës si ministre e Bujqësisë: 107 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim.
Shkarkimi i Edona Bilalit si ministre e Sipërmarrjes: 102 vota pro, 4 kundër, asnjë abstenim.
Shkarkimi i Milva Ikonomit si ministre Shteti: 98 pro, 2 kundër, 2 abstenim.
Shkarkimi i Ervin Metes si drejtor i AMF-së: 95 vota pro, 5 kundër, 1 abstenim.
Emërimi i Arbjan Maznikut si ministër Shteti për Pushtetin Vendor: 73 vota pro, 35 kundër, asnjë abstenim.
Emërimi i Albana Koçiut si ministre Shëndetësie: 73 vota pro, 32 kundër, 1 abstenim.
Emërimi i Igli Hasanit si ministër për Europën dhe Punët e Jashtme: 74 vota pro, 33 kundër, asnjë abstenim.
Emërimi i Ogerta Manastirliut si ministre e Arsimit: 73 pro, 33 kundër, asnjë abstenim.
Emërimi i Anila Denajt si ministre e Bujqësisë: 73 vota pro, 27 kundër, asnjë abstenim.
Gazetari dhe analisti Lutfi Dervishi thotë se ndryshimet nuk kanë ardhur as për shkak të presionit të njerëzve që janë zemëruar nga skandalet e korrupsionit, apo nga presioni i opozitës, por për dy faktorë.
“Kur flasim për shkarkime dhe emërime ministrash, zakonisht nënkuptojmë një krizë, por në këtë rast nuk mendoj se është diskutuar në formatin që meriton kjo temë. Njëri është faktori SPAK, pra skandalet e fundit që kanë shoqëruar shumicën dhe e dyta trillet e kryeministrit”, tha Dervishi të hënën në mbrëmje në Debat në A2 CNN. (A2 Televizion)
