Për Vladimir Putin, kundërofensiva e Ukrainës, ka dështuar. Presidenti rus pretendon se forcat rivale në fushën e betejës kanë humbur mbi 71 mijë ushtarë, 500 tanke dhe 18 mijë automjete të blinduara, në pak muaj.
Duke folur në Forumin Ekonomik Lindor në Vladivostok, Putin bëri me dije se Forcat e Armatosura po forcohen, duke saktësuar se vetëm në 6 muajt e fundit janë shtuar 270 mijë ushtarë të rinj. Por, me pakësimin e armatimeve, Rusisë po i mbaron dhe dëshira për të vazhduar luftën.
“Nëse Shtetet e Bashkuara mendojnë se presidenti ukrainas është i gatshëm të ulet në një tryezë negociatash me Rusinë, duhet të anulojnë urdhrin e Zelenskit që ndalon bisedimet e paqes. Kam përshtypjen se ata duan të kafshojnë sa më shumë që të munden dhe më pas, kur burimet e tyre janë afër zeros, të arrijnë një ndërprerje të armiqësive dhe të fillojnë negociatat për të rimbushur burimet e tyre dhe për të rivendosur aftësinë luftarake.”
Putini e konsideroi një gabim të madh, veprimin e ish-Bashkimit Sovjetik që ka dërguar tanke në Budapest apo Pragë për të shtypur kryengritjet në vitin 1956 dhe 1968.
“Ne e kemi pranuar shumë kohë më parë se kjo pjesë e politikës së Bashkimit Sovjetik ishte një gabim dhe se vetëm prodhoi tensione në marrëdhëniet tona. Nuk duhet bërë kurrë diçka në politikën e jashtme që qartësisht shkon kundër interesit të vendeve të tjera.”
Putin komentoi dhe proceset gjyqësore kundër Donald Trump në Shtetet e Bashkuara, duke mbështetur deklaratat e ish-kreut të Shtëpisë së Bardhë, me pretendim se është “një persekutim politik”.
Ndërkohë, presidenti rus ka dorëzuar në parlament një projektligj për një festë të re kombëtare. Putin kërkon që 30 shtatori të jetë dita e celebrimit të bashkimit me Federatën të katër rajoneve ukrainase të pushtuara, Donjeck, Luhansk, Zaporizhia dhe Kherson. (A2 Televizion)
