Sasia e euros në treg nuk justifikon shkallën e forcimit të lekut

Nga A2 CNN
12 Shtator 2023, 10:15 | Ekonomi
Sasia e euros në treg nuk justifikon shkallën e forcimit të lekut

Nga turistët, emigrantët që jetojnë jashtë, investimet e huaja dhe eksportet, në gjysmën e parë në vend hynë gati 3.6 miliardë euro. Nga ana tjetër, për të pushuar jashtë dhe blerë mallra nga jashtë nga tregu i këmbimit u tërhoqën gati 2.2 miliardë euro.

Vlera e eurove neto të mbetura në vend në harkun e muajve janar-qershor është 1.4 miliardë euro nga rreth 1.3 miliardë në po të njëjtin hark kohor duke u zgjeruar kështu me 7.5%.
Eduart Gjokutaj, ekspert për ekonominë, shprehet për A2 CNN: “Kjo analizë krahasimore e shifrave vlen për të kuptuar se sa është sasia neto e eurove të mbetura në vend për të dalë më pas në një konkluzion paraprak se çfarë e ka shkaktuar zhvlerësimin e euros në gjysmën e parë të vitit”.

Duke iu referuar kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye mesatarisht në qershor me 107.26 lekë nga 119.8 lekë në po të njëjtin muaj të një viti më parë. Në harkun e një viti valuta europiane rezulton të jetë zhvlerësuar me 10.46%.

“Analiza e të dhënave tregon se sasia e eurove të hyra e të mbetura në vend nuk justifikon shkallën e zhvlerësimit të valutës europiane ndaj duhet t’i hedhim sytë te faktorët informalë”, shpjegon Gjokutaj.

Banka e Shqipërisë ka pranuar se shkalla e zhvlerësimit të euros në raport me paranë kombëtare në periudha të caktuara kohore ka humbur natyrshmërinë. Megjithatë, si institucioni më i lartë monetar vijon të argumentojë se forcimi i lekut dhe rrjedhimisht zhvlerësimi i euros po vjen si pasojë e zgjerimit të katër faktorëve fondamentalë që janë turizmi, dërgesat e emigrantëve, investimet e huaja direkte dhe eksportet e mallrave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos