Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, takohen të enjten në Bruksel, në përballjen e tyre të parë që prej shpërthimit të tensioneve në veriun e vendit, gjatë muajit maj.
Përmes një njoftimi, Bashkimi Europian bëri të ditur se takimet e ndara me përfaqësuesin e lartë Josep Boreell dhe të dërguarin e BE-së do të nisin që në orën 9 të mëngjesit për t’u pasuar nga një takim tre palësh, më vonë gjatë ditës.
Fokusi i takimit do të jetë tek implementimi i marrëveshjes drejt normalizimit, dhe po ashtu çështjet aktuale. Do të ketë një deklaratë për shtyp të Përfaqësuesit të Lartë në fund të takimit. Hera e fundit kur dy liderët janë takuar në Bruksel, në kuadër të dialogut, ka qenë 2 maji.
Një ditë më parë, Kurti bëri të ditur se bisedoi lidhur me takimin së enjtes, me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë e tij për t’u angazhuar aktivisht në takimin e nivelit të lartë politik të së enjtes në Bruksel, teksa falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën”, është thënë në njoftimin për media.
Përkushtim në dialog ka kërkuar edhe Gjermania. Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, deklaroi të martën se raundi i 14 shtatorit zhvillohet në një “moment kritik”.
“Duhet përkushtim i plotë i të dyja palëve për ç’tensionim të situatës, për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe për një demokraci pjesëmarrëse. Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet tani. Nuk duhet të ketë më lojëra për të fajësuar të tjerët. Hiqni pengesat për përparim. Është koha të veprohet në të mirë të të gjithëve” (A2 Televizion)
