
Stoku i dosjeve në Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën e Lartën ka shkuar mbi 50 mijë gjë e cila ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë te qytetari. Mirëpo, një praktikë e re ka nisur të zbatohet së fundi që është marrëveshja e ndërmjetësimit, ose që quhen ndryshe “gjyqtarët e paqes”.
Drita Avdyli, kryetarja e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësimit ka sjellë një sërë arsyesh se përse në rast të një konflikti, qytetari mund të zgjedhë që të shuajë me anë të ndërmjetësimit pa pasur nevojë që të përfundojë në dyert e gjykatës. Ajo thekson se kjo ka një kosto më të ulët për qytetarin, por edhe vendimi merret në një kohë të shkurtër, maksimimi 30 ditë.
“Një qytetar për të zgjidhur një konflikt ka 2 rrugë, ose me ndërmjetësim, ose me gjykatë. Ndërmjetësi është ky person i licensuar nga ministria e drejtësisë, çon palët në një zgjidhje dhe është njësoj si vendimi i gjykatës së Apelit. Ne hyjmë kudo, si te divorcet, si te pasurisë, te marrëdhënies civile, ato tregtare, të punës. Zgjidhja me ndërmjetësim është një zgjidhje shumë e shpejtë. Maksimumi deri në 30 ditë. Është kosto më e ulët, jo vetëm se është një ndërmjetës për të dyja palët. Ndërsa në gjykatë secila palë do avokatin e tij. Që në momentin kur firmoset vendimi hyn në fuqi menjëherë. Konflikti vjen duke u shuar, se në gjykatë vendimi është vendim ndëshkues ose humbës njërën palë, ndërsa zgjidhjet e konflikteve me ndërmjetësim është vendim restaurues, ku të dyja palët fitojnë. Kemi dhe ulje të shkallës së korrupsionit. Në total janë 98 ndërmjetës në të gjithë territorin e Shqipërisë”, tha Avdyli.
Për të treguar se kjo është një zgjidhje efektive, ajo jep shifra konkrete për rastet që kanë shkuar drejt zgjidhjes përfundimtare.
“629 raste të zgjidhura janar-qershor”, tha Drita Avdyli.
Për qytetarët me vështirësi ekonomike, ky shërbim ofrohet pa pagesë. (A2 Televizion)