Gjyq pa praninë e ish-presidentit, lirimi ose jo i Ilir Metës në dorë të Kushtetueses

Nga A2 CNN
5 Nëntor 2025, 17:13 | Politikë

Gjyq pa praninë e ish-presidentit, lirimi ose jo i Ilir Metës në
Gjykata Kushtetuese do të vlerësojë nëse ka pasur ose jo shkelje të Kushtetutës në vendimet gjyqësore për lënien në paraburgim të ish-presidentit të Republikës, Ilir Meta.  

Mbledhja e Gjyqtarëve të Kushtetueses vendosi të mërkurën të kalojë në seancë plenare ankimin e ish-presidentit që vuan mungesën e lirisë prej tetorit të vitit të shkuar.

Kërkesa e depozituar nga Meta në kushtetuese ndau më herët në 2 me 1 kolegjin tre-anëtarësh që bën shqyrtimin paraprak të kërkesave. Kur nuk ka vendimmarrje njëzëri në këtë kolegj, shqyrtimi paraprak i kërkesës i kalon Mbledhjes së Gjyqtarëve.

Në këtë të fundit, të gjithë anëtarët e Kushtetueses me shumicë votash vlerësuan kalimin e çështjes në seancë plenare në bazë dokumentesh.

Kjo do të thotë, që ndryshe nga sa ndodhi me kryebashkiakun Erion Veliaj, ish-presidenti Meta nuk do të jetë i pranishëm fizikisht në Kushtetuese. Në këtë gjykatë Meta kërkon shfuqizimin e vendimit të tetorit 2024 të Gjykatës së Posaçme, të nëntorit të të njëjtit vit të Apelit të Posaçëm dhe të shkurtit 2025 të Gjykatës së Lartë, si antikushtetues.

Sipas ankimit të bërë, Meta pretendon se nga gjykata e tre niveleve i është cenuar e drejta për liri fizike, për liri të shprehjes, e drejta për t’u zgjedhur dhe e drejta e një procesi të rregullt ligjor.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos