U rritet paga, Xhafaj: Disa gjyqtarë të Kushtetueses, pa dije dhe integritet

Nga A2 CNN
12 Shtator 2023, 14:34 | Aktualitet
U rritet paga, Xhafaj: Disa gjyqtarë të Kushtetueses, pa dije dhe

Plotësimi i trupës së Gjykatës Kushtuese me 9 anëtarë, pas disa vitesh paralizë dhe funksionimi të pjesshëm, u brohorit si nga politika vendase ashtu edhe nga ndërkombëtarët.

Emrat e përveçëm nuk rezultojnë të kenë fituar respektin e Fatmir Xhafajt, i njohur si udhëheqësi i reformës në drejtësi. Në komisionin e ligjeve, teksa diskutohej për rritjen e pagave të gjyqtarëve kushtetuese, deputeti socialist nuk nguroi të shprehte zhgënjimin e tij. 

“Po të hynim me emra, me individë, ne kemi parë deri tani 4 Gjykata Kushtetuese. Unë kam respekt për një pjesë të mirë të anëtarëve të GJK edhe për dijet edhe për integritetin. Ashtu sikundër nuk kam respekt për 2-3 prej tyre as për dijet as për integritetin”, tha Xhafaj.

P/ligjin e qeverisë, prezantuar nga e Ministria e Drejtësisë, Fatmir Xhafaj e cilësoi absurd, duke ironizuar argumentin e vështirësisë në punë të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke e krahasur punën e tyre me kolegët e Gjykatës së Lartë si dhe Prokurorisë e Gjykatës së Posaçme. 

“Një gjyqtar i GJK i bie të marrë 644 640 lekë dhe një gjyqtar i Gjykatës së Lartë që gjykon nga mëngjesi  deri në darkë i bie të marrë 376 380 lekë. Si qëndron kjo piramidë, se kjo e ka koeficentin 0.96 këta e kanë 0.36. Unë nuk jam kundër rritjes së pagave, por nuk arrij dot ta kuptoj këtë përpjestim kaq të madh. Dhe që këta që paskan një vështirësi kaq të madhe pune mbi këta që hetojnë krimin e organizuar, korrupsionin dhe që hetojnë edhe këta gjyqtarë për korrupsion”, shtoi Xhafaj.

Ky qëndrim i ish-ministrit socialist të Edi Ramës ka surprizuar edhe opozitën në komisionin e ligjeve. 

“Xhafaj bëri të njëjta pyetje siç do ti bëja edhe unë”, komentoi Oerd Bylykbashi.

Zv/ministri i Drejtësisë u tregoi deputetëve moralin e këtij vendimit të miratuar ngaQeveria. 

“Trajtimi financiar me pagë i çdo njeriu është treguesi i parë që ky njeri ka për vete dhe për institucionin. Dhe shteti vetë në trajtimin financiar të nëpunësve të tij tregon respketin ndaj tyre”, tha ai.

Kritikat si ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe ndaj p/ligjit të qeverisë, Fatmir Xhafaj i përkthyen në votë abstenuese, ndërsa kolegët e tij socialistë votuan në favor të propozimit për rritjen e pagave të trupës së Gjykatës Kushtetuese. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos