Universiteti “Western Balkans” do të ofrojë bursa studimi në programet Bachelor, për maturantët që vijnë nga qyteti i Kukësit, Hasit, Tropojës dhe Peshkopisë. Bursat do të mundësohen nga Dhoma e Tregtisë së Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë në kuadër të projektit “Perspektiva të Reja”, në bashkëpunim edhe me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.
Presidenti i Universitetit “Western Balkans”, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, në fjalën e tij falënderoi mbështetësit e këtij programi duke thënë se tjera se këto projekte motivojnë më shumë të rinjtë për të studiuar dhe zgjedhur një të ardhme më të mirë.
“Me fokus të veçantë në mjekësi, teknologji dhe biznes, “Western Balkans University” ofron rreth 25 degë të nivelit master dhe bachelor për student që vijnë nga 15 shtete të ndryshme”, tha ai.
Ambasadori Alastair King-Smith në fjalën e tij theksoi se kjo është një mundësi fantastike për maturantët për të qëndruar në vendin e tyre dhe për të mësuar nga më të mirët dhe për të krijuar të ardhmen e tyre në Shqipëri.
“Kudo në Shqipëri ka nevojë, por mendojë se specifikisht nevoja më e madhe për investim është në veri të vendit. Kjo është një nga arsyet se përse Mbretëria e Bashkuar është e interesuar në këtë çështje sepse ndikon drejtpërdrejt në emigrimin drejt Britanisë së Madhe, për të investuar në Shqipëri që të rinjtë ta shohin të ardhmen e tyre këtu, jo në jashtë vendit”, tha ai.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë në Mbretërinë e Bashkuar në Tiranë Dr. Klodjan Allajbeu u shpreh se Universiteti “Western Balkans” është i përkushtuar për të ofruar më të mirën qoftë nga ana infrastrukturore ashtu edhe nga mundësitë e shumta që ofron.
“Dhoma Britanike e Tregtisë është e gatshme të mbështesë jo vetëm studentët në “Western Balkans University”, por të mbështes edhe të rinjtë në universitete të tjera që kanë nevojë.
Kandidatët duhet të aplikojnë në U-Albania dhe të zgjedhin njërin nga programet bachelor të ofruara nga Universiteti “Western Balkans” në raundin e dytë të aplikimeve në datat 15 – 17 shtator 2023. (A2 Televizion)
