Vendimi i Komisionit Europian për të nisur një hetim ndaj subvencionimeve të automjeteve elektrike kineze, ka zemëruar Pekinin. Duke e cilësuar këtë si një lëvizje proteksioniste, ai paralajmëroi se do të ndikonte negativisht në marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes BE-së dhe Kinës.
“Hetimi është një akt i zhveshur proteksionist që do të dëmtojë seriozisht industrinë automobilistike globale dhe zinxhirin e furnizimeve dhe do të ketë ndikim negative në lidhjet tregtare mes Kinës dhe BE-së”, deklaroi ministria e Tregtisë në Kinë.
Presidentja e Komisionit Europian njoftoi hetimin gjatë fjalimit mbi gjendjen e unionit, ditën e mërkurë, duke e akuzuar Kinën për përmbysje të tregjeve globale me automjetet elektrike që kanë çmime artificialisht të ulëta, për shkak të subvencionimeve të mëdha shtetërore. Hetimi u kërkua me ngulm nga Parisi, që ankohet për tkurrje të shitjeve të automjeteve elektrike, për shkak të asaj që e sheh si konkurrencë të pandershme të Kinës.
“Çmimet e tyre u mbajtën artificialisht të ulëta nga subvencionet e mëdha shtetërore të Kinës. Kështu që unë mund të njoftoj sot se Komisioni po fillon një hetim kundër subvencioneve për automjetet elektrike që vijnë nga Kina”, u shpreh von Der Leyen.
Hetimi që mund të çojë në tarifa ndëshkuese, ka nxitur analistët të paralajmërojnë mbi veprime hakmarrëse të Pekinit, si dhe një reagim të ashpër të drejtuesve të industrisë që thonë se avantazhet në konkurrencë, nuk janë për meritë të subvencionimeve. (A2 Televizion)
                                          
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   