Berisha: Kthesa nga Kukësi është mesazhi më i fuqishëm për mbarë shqiptarët

Nga A2 CNN
19 Shtator 2023, 10:22 | Politikë
Berisha: Kthesa nga Kukësi është mesazhi më i fuqishëm

Kur kanë mbetur dhe pak ditë nga zgjedhjet në Kukës, ish-kryeministri Sali Berisha tha se vendi ka nevojë për një kthesë të madhe, e sipas tij, Emri Vata, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” është i duhuri që mund ta bëjë realitet këtë ndryshim jetik. Ai tha se kthesa nga Kukësi është mesazhi më i fuqishëm për mbarë shqiptarët.

“Për të gjithë këto, ju bëj thirrje të shënojmë një kthesë të madhe me Emri Vatën në Kukës. Vendi ka nevojë jetike për një kthesë. Kthesa nga Kukësi është mesazhi më i fuqishëm që banorët e këtij rrethi u dërgojnë mbarë shqiptarëve.

Le të jetë Kukësi stacioni ku ndalon rrokullisja e madhe e këtij vendi, ku ndalon shpërbërja e Shqipërisë, largimi masiv i shqiptarëve. Me këtë rast dua të ftoj të gjithë biznesmenët e Kukësit këto ditë të japin të gjithë ndihmesën e tyre për fitoren e Emri Vatës. Ftoj të gjithë lumjanët, kuksianët kudo që ndodhen, në Tiranë, në Shkodër, kudo, Durrës, jashtë vendit, të vijnë dhe të votojnë në Kukës për të firmosur ndryshimin”, tha Berisha.

Ai nuk la pa përmendur edhe ish-kryetarin e Bashkisë, Safet Gjicin, sipas së cilit ishte një kopje e kryeministrit Edi Rama.

“Nuk e meritonte kurrë Kukësi, Safet Gjicin. Gjici ishte një kopje e shëmtuar e Edi Ramës. Nuk e njoh këtë tjetrin, por nuk meriton Kukësi përfaqësues të Edi Ramës dhe të Safet Gjicit. Ndaj dhe ju ftoj të angazhohemi për një kthesë nga Kukësi, që do jetë një kthesë e madhe për gjithë Shqipërinë”, përfundoi ish-kryeministri.

Në garë janë Emri Vata nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe Albert Halilaj nga Partia Socialiste. Partia Demokratike, e drejtuar nga Lulzim Basha nuk do të ketë kandidat për zgjedhjet e 24 shtatorit në Kukës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos