Mblidhet grupi i PS, deputetët pakënaqësi për pensionet dhe Hipotekën! Asnjë vendim për Ahmetajn

Nga A2 CNN
18 Shtator 2023, 13:22 | Politikë
Mblidhet grupi i PS, deputetët pakënaqësi për pensionet dhe

Në mbledhjen e parë si kryetar grupi i mazhorancës, Bledi Cuci është njohur me shqetësimet e qytetarëve të sjella nga deputetët. Problemet me marrjen e shërbimeve nga Hipoteka dhe pakënaqësitë me rritjen e pensioneve në fshat kanë qenë disa prej çështjeve që socialistët kërkuan që të rishikohen nga pushteti qendror.

Sipas të zgjedhurve të majtë në Parlament, për shkak se Kadastra tashmë funksionon vetëm online dhe me një sistem që delegon aplikimet në rrethe të tjera, qytetarët dhe bizneset kanë hasur në shumë vonesa, sidomos në rastet kur pronën e tyre duan ta përdorin si kolateral në sistemin bankar për marrjen e kredive.

Një shqetësim i tillë është ngritur edhe nga noterët dhe bankat, por është minimizuar gjithmonë nga Qeveria. Niveli i pensioneve ishte një tjetër shqetësim i ngritur në mbledhjen e grupit parlamentar të PS.

Indeksimi në masën 8.6%, njoftuar nga deputeti Erion Braçe në Parlament, shihet nga një pjesë e madhe e kolegëve të tij të Partisë Socialiste si nivel i papërfillshëm, krahasuar me rritjen e çmimeve. Problemi është më i ndjeshëm sidomos te pensionet në fshat, janë shprehur me dyer të mbyllura ligjvënësit socialistë.

Me mungesën e kryeministrit Edi Rama për shkak se ndodhet në SHBA, socialistët nuk kanë marrë asnjë vendim për përjashtimin e Arben Ahmetaj nga grupi, pavarësisht se deputeti i mazhorancës është në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare. Socialistët e kanë lënë ende të hapur mundësinë për shlyerjen e p/ligjit për rritjen e pagave të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese përtej seancës së 21 shtatorit.

Shkak për këtë është përsëri nevoja e 84 votave të cilat mazhoranca nuk i bën dot e vetme, por edhe mungesa nga ana e socialistëve në Parlament, duke nisur nga Kryeministri që axhenda e ka dërguar në SHBA.

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos