125 mijë e 222 biznese në të gjithë Shqipërinë do të përfitojnë nga të dhënat e censit 2023 për ndërtimin e një strategjie të qëndrueshme dhe konkurruese. Censi do të shërbejë jo vetëm për autoritetet publike përgjegjëse që të ndërtojnë politika e nevojshme në fusha të caktuara, por nga ana tjetër, sipas kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, e orienton më mirë sektorin në drejtimin e duhur të investimeve.
“Në radhë të parë t’i shërbejnë institucioneve dhe në radhë të dytë të jenë edhe një e dhënë e saktë për t’u shfrytëzuar nga sipërmarrjet private për promocionin dhe marketigun e tyre. Dhe për të hartuar strategjitë e duhura në zhvillimin e një biznesi. Është e rëndësishme për ata të kenë target-grupin e caktuar ku i drejtohet me produktet dhe shërbimet e veta”, u shpreh kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Nikolin Jaka.
Sipas INSTAT, bizneset janë më të shumta në numër në bashkitë Tiranë, Durrës dhe Vlorë ndërsa në bashkinë Pustec shënohet numri më i ulët. Teksa censi jep një përshkrim të detajuar të të gjitha aspekteve ekonomike, sociale dhe të jetës në Shqipëri, Jaka thekson se sfidë për bizneset do të jetë saktësia e të dhënave.
“Personalisht, jam skeptik për të gjithë censuset që bëhen sepse ndërgjegjja qytetare e një komuniteti të caktuar që i referohen subjekte të censusit, sa të ndërgjegjshëm janë për të qenë transparent”, shtoi ai.
Statistikat e sakta, sipas Jakës, ndihmojnë në ndërtimin e projeksione individuale mbi popullsinë, por dhe studimin real të tregut, për produktin ose shërbimin që ofron. Një transparencë, por dhe publikim i shpejtë i të dhënave, e bënë më të besueshëm këtë proces sipas tij, edhe për biznesin. (A2 Televizion)
