Akuzat ndaj McGonigal, republikanët akuza Departamentit të Drejtësisë për tolerim

Nga A2 CNN
20 Shtator 2023, 08:24 | Bota
Akuzat ndaj McGonigal, republikanët akuza Departamentit të

Komisioni Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin e Shteteve të Bashkuara shprehu shqetësimin për mundësinë e marrëveshjeve me pasoja të zbutura ndaj ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal në dy çështjet ndaj tij, si një përpjekje për të fshehur përmasat e shkeljeve të tij, për të mbrojtur reputacionin e FBI-së.

Sipas Zërit të Amerikës, ligjvënësi republikan, Jim Jordan, në një letër drejtuar drejtorit të FBI-së, Christopher Wray shkruan se Komisioni po heton akuzat për politizim dhe qëndrim të njëanshëm brenda FBI-së, në lidhje me çështjen penale kundër ish-agjentit special, Charles McGonigal.

Ky Komision fillimisht kërkoi dokumente dhe informacione për këtë çështje nga FBI-ja, më 2 shkurt 2023, por në letër thuhet se deri më sot, Byroja Federale e Hetimeve nuk e ka përmbushur këtë kërkesë jo të detyrueshme.

Ish-zyrtari i lartë i kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal pranoi në gusht fajësinë në një gjykatë në Nju-Jork lidhur me akuzën për shkelje të sanksioneve amerikane ndaj Rusisë, duke punuar pas daljes në pension për oligarkun rus Oleg Deripaska, të cilin më parë ai e kishte hetuar.

Në këmbim të pranimit të fajësisë, prokurorët hoqën dorë nga akuza të tjera në lidhje me bashkëpunimin e zotit McGonigal me Deripaskën.

Në një proces tjetër në një gjykatë federale në Uashington, McGonigal është akuzuar se ka marrë rreth 225.000 dollarë nga një ish-punonjës i shërbimeve të zbulimit të Shqipërisë.

“Pavarësisht një pagese shumë më të madhe nga ish-zyrtari shqiptar, sipas njoftimeve, McGonigal po negocion me prokurorët federalë në Uashington një marrëveshje të ngjashme për pranimin e fajësisë”, thuhet në letrën e ligjvënësit Jordan për drejtorin e FBI-së.

Në letrën e Komisionit Juridik të Kongresit përsëritet kërkesa për dokumente dhe informacione për këtë çështje dhe bëhet thirrje që FBI-ja ta plotësojë këtë kërkesë deri më 3 tetor 2023. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos