
Që në fillim, mënyra e anketimit në kuadër të Censit 2023, ka ngjallur reagime mes komuniteteve fetare në vendin tonë. Përgjigjet me dëshirë në lidhje me përkatësinë fetare apo praktikimin e riteve fetare, ka lënë të pakënaqur përfaqësuesit e besimeve në vend. Por myftiu i Fierit ka shkuar me tej, duke denoncuar ankesa të besimtarëve myslimanë, që vënë në dyshim vërtetësinë e procesit të anketimit.
“Na kanë ardhur shqetësime nga besimtarët. Jo më larg se dje ku kanë shkuar punonjësit që mbledhin të dhënat u kanë thënë që na jepni vetëm emrin dhe numrat e telefonit për t’i plotësuar vetë formularët me pretekstin për të mos lodhur qytetarët me pyetje”, tha Mikel Hazizolli, myfti i Fierit.
Ashti si myftiu edhe Mitropoliti i Apolonisë dhe Fierit, ka kontestuar si të paqartë pyetjen nëse qytetarët janë praktikantë apo jo të besimit që deklarojnë.
Kjo është pak e ngatërruar. Dikush është i krishterë, por ndoshta nuk ndjek ritet e besimit nuk e quan veten praktikant, por ai është besimtar. Kjo pyetje ngatërron pak”, thotë Nikolla Hyka, mitropolit i Apolonisë dhe Fierit.
“Kur e pyet qytetarin nëse je praktikant, e ka për faljen. Por një pjesë e shoqërisë agjëron gjatë muajit të Ramazanit dhe kjo është një praktikë që i përfshin në mënyrë automatike duke u bërë mysliman dhe praktikant”, thotë myftiu i Fierit.
Pavarësisht kontestimeve ndaj mënyrës së anketimit dhe apeleve që u bëjnë besimtarëve, përfaqësuesit e besimeve në vend, janë të bindur se censi nuk mund të prekë bashkëjetesën model të besimeve në vend dhe se kjo nuk është një garë numrash mes komuniteteve fetare. (A2 Televizion)