Mbizotërojnë vizitorët tranzit, Tirana dhe Durrësi më të frekuentuarat, kosovarët janë besnikët tanë

Nga A2 CNN
20 Shtator 2023, 11:16 | Aktualitet
Mbizotërojnë vizitorët tranzit, Tirana dhe Durrësi më

Nga 1.7 milionë turistë të huaj të cilët zgjodhën Shqipërinë për të kaluar pushimet verore në korrik, vetëm 236 mijë u akomoduan në hotelet apo bujtinat e vendit, thënë ndryshe, rreth 14% e tyre.  

Interesi i të huajve tranzit për të vizituar vendin ka qenë më i lartë në këtë periudhë të vitit sesa turistët që qëndrojnë për më shumë se 1 ditë në Shqipëri. 

“Duke qenë se ka pasur një prurje të madhe të numrit të turistëve, janë detyruar ta shtyjnë dhe në shtator apo maj. Nga viti në vit kemi një ndryshim”, tha Frenklin Prengaj.

Akomodimi në strukturat shqiptare i turistëve vendas, por dhe të huaj, sipas Institutit të Statistikave u rrit me 48.2% në muajin korrik. Duke u ndalur te qytetet, Tirana dhe Durrësi ishin dhe më të frekuentuarat, të cilat krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë regjistruan një rritje me 70.5%. Ndërsa në zonat bregdetare, ky tregues është rritur me 24.5%.

Sa i takon shtetësisë, shqiptarët e Kosovës mbeten më besnikët. I lartë ka qenë numri i turistëve polakë, gjermanë dhe nga Maqedonia e Veriut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos