
Deputetet e mazhorancës nuk i morën parasysh propozimet e deputetëve të opozitës për Reformën Zgjedhore.
Kështu ka deklaruar Gazment Bardhi për mediat pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve pasditen e së mërkurës.
“Mazhoranca nuk i mori në shqyrtim propozimet e opozitës. Komisioni i reformës zgjedhore u diskutua sot gjatë mbledhjes. I jam drejtuar kryetares së Kuvendit për të nxjerrë përgjegjësitë për komisionin që është mbledhur dy herë në 1 vit pa dhënë asnjë rezultat. Në zgjedhjet e 14 majit duhet të shkonim me një kuadër të plotë ligjor që përmbushte rekomandimet e OSBE. I kam kujtuar kolegëve të PS që kanë shpallur si prioritet Reformën Zgjedhore, për të cilën duhet të jesh serioz. Si opozitë kemi marrë përgjegjësitë tona për mosrealizimin e reformës zgjedhore. Nuk pranojmë dot që një çështje si zgjedhjet e lira të mos trajtohet. Këtë e kemi adresuar duke krijuar një ekip të ri përfaqësimi në komisionin e reformës zgjedhore.”
Bardhi tha se opozita propozoi një projekt-vendim për ngritjen e komisionit të Reformës Zgjedhore, për të cilin do të kërkohet ekspertizë nga ODIHR. Megjithatë, siç bëri ai të ditur, mazhoranca ka votuar kundër.
Ditën e sotme u mblodh Konferenca e Kryetarëve për të përcaktuar punimet e Kuvendit të këtij sesioni.
Në mbledhje, Gazment Bardhi ishte thirrur në cilësinë e kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. E pranishme ishte edhe deputetja demokrate Flutura Açka. Kësaj të fundit, kreu i PD-së Lulzim Basha i ka deleguar kompetencat e kryetarit të Grupit Parlamentar. (A2 Televizion)