Ndryshimet kushtetuese të 2008, Meta: Berisha u tërhoq kur pranoi qëndrimin tonë për referendumet

Nga A2 CNN
20 Shtator 2023, 14:45 | Politikë
Ndryshimet kushtetuese të 2008, Meta: Berisha u tërhoq kur pranoi

Deklarata e Sali Berishës në A2 CNN, pak ditë më parë, se është gati t’i zhbëjë ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, që miratoi atëherë me Edi Ramën, nuk duket të ketë suprizuar Ilir Metën.

Kreu i Partisë së Lirisë, deklaroi se ndryshimi i qasjes së Berishës vihet re që te siglimi i bashkëpunimit me të për referendumet.

Fakti që ai është shprehur dhe në marrëveshjen tonë, në çështjen e dytë kemi pikërisht bashkëpunimin për të garantuar referendumin në nivel kombëtar dhe lokal, i cili aktualisht është i pamundur që të realizohet dhe pse është në Kushtetutë. Mendoj që është treguesi më i qartë i vendosmërisë edhe të zotit Berisha për çdo ndryshim që forcon demokracinë dhe garanton votën e lirë.

Pohon se ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 janë gabimi më i madh i politikës, por nuk beson se zhbërja e marrëveshjes Rama-Berisha mund të ndryshojë situatën në vend.

Çdo përpjekje për t’ia vënë fajin Kushtetutës që kemi dhe çdo iluzion se disa ndryshime kushtetuese do të përmirësojnë këtë situatë, është e njëjta si ajo që kemi vënë re në të kaluarën, hajde merremi me ndryshimin e Kodit Zgjedhor pas çdo zgjedhje dhe gjithmonë më zi e më sterrë.

Sipas kreut të Partisë së Lirisë, debati i krijuar shfrytëzohet nga qeveria për të zhvendosur vëmendjen nga skandalet.

Gjithë përpjekjet apo idetë që mund të ketë Edi Rama për gjoja ndryshime të Kushtetutës nuk kanë të bëjnë me faktin se ai është ndërgjegjësuar, por kanë të bëjnë me faktin se ai jo vetëm do donte të spostonte vëmendjen, por dhe të legalizonte kapjen e shtetit.

Meta konfirmoi gjithashtu se është në favor të hapjes së plotë të listave të deputetëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos