
Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergey Lavrov ka mbërritur pasditen e së mërkurës në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York.
Lajmin e bëri të ditur ministria që ai drejton ndërsa vetë Lavrov ndau pamje nga mbërritja e tij në selinë e OKB-së “për javën e nivelit të lartë”. Po ashtu, sipas raportimeve, ai do jetë pjesë e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit që drejtohet nga kryeministri Edi Rama.
Vladimir Putini ishte një prej liderëve botërorë që i bënë “skip” mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme ditën e djeshme, ku fjalën e mbajtën presidenti amerikan Joe Biden dhe ai ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Kreu i diplomacisë ruse pritet që të mbajë një numër takimesh bilaterale si dhe do të marrë pjesë në një mbledhje të Këshillit të Sigurisë së OKB-së, mbi Ukrainën ku president ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të flasë,” raportoi më herët agjencia ruse e lajmeve TASS.
Mbledhja e Këshillit të Sigurimit ka nisur në orën 11.00 me orën e New York-ut. Mbledhja nisi me fjalën e Edi Ramës në cilësinë e drejtuesit, i cili u pasua nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, dhe presidenti ukrainas Zelensky. (A2 Televizion)