Komisioni Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan po shpreh shqetësimin për mundësinë e marrëveshjeve me pasoja të zbutura ndaj Charles McGonigal në dy çështjet e ngritura ndaj tij, si një përpjekje për të fshehur përmasat e shkeljeve dhe për të mbrojtur reputacionin e FBI-së. Në një letër për drejtorin e FBI-së Christofer Wray, kryetari i komisionit, ligjvënësi republikan JimJordan, shkruan:
Komisioni Juridik po heton pretendimet për politizim dhe qëndrim të njëanshëm brenda FBI-së në lidhje me çështjen penale kundër ish-agjentit special Charles McGonigal.
Ish-zyrtari i lartë i kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal pranoi në gusht fajësinë lidhur me akuzën për shkelje të sanksioneve amerikane ndaj Rusisë, duke punuar pas daljes në pension për oligarkun rus Oleg Deripaska, të cilin më parë ai e kishte hetuar.
McGonigal pranoi se kishte marrë mbi 17.000 dollarë nga oligarku rus për të siguruar informacione negative për një rival të tij, një tjetër oligark rus. Në këmbim të pranimit të fajësisë, prokurorët hoqën dorë nga akuza të tjera në lidhje me bashkëpunimin e McGonigal me Deripaskën. Në një proces tjetër në një gjykatë federale në Uashington, McGonigal është akuzuar se ka marrë rreth 225, 000 dollarë nga një ish-punonjës i shërbimeve të zbulimit të Shqipërisë.
“Pavarësisht një pagese shumë më të madhe nga ish-zyrtari shqiptar, sipas njoftimeve, McGonigal po negocion me prokurorët federalë në Uashington një marrëveshje të ngjashme për pranimin e fajësisë”.
Ligjvënësit republikanë thonë se Departamenti i Drejtësisë dhe FBI-ja janë përdorur si mjete politike nga demokratët kundër republikanëve. (A2 Televizion)
