
Në kuadër të pjesëmarrjes në Javën e Nivelit të Lartë të Sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Bajram Begaj zhvilloi një takim me Përfaqësuesin e BE-së, Josep Borrell.
Presidenti Begaj e falënderoi z. Borrel për mbështetjen që ai ka treguar gjithmonë për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe proceseve integruese te tij dhe veçanërisht, për hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Kreu i Shtetit u shpreh shpresëplotë për pasjen sa më shpejt të rezultateve të prekshme dhe konkrete në proceset integruese në hapjen e grup-kapitujve themelorë nëpërmjet konferencës së dytë ndërqeveritare dhe siguroi se Shqipëria do të vijojë me vendosmëri procesin e reformave të brendshme.
Gjatë takimit, Begaj dhe Borrell diskutuan edhe mbi situatën në Kosovë duke ritheksuar se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja dhe mbështetur nga SHBA-ja, është e vetmja rrugë për zbutjen e tensioneve në veri të Kosovës dhe normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Bashkëbiseduesit vlerësuan me rëndësi që palët të punojnë së bashku për hapat e tjerë për zbatimin e Marrëveshjes së arritur mes dy vendeve në shkurt dhe mars 2023, si dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në takimet e ardhshme për dialogun. (A2 Televizion)