Gazmend Bardhi kërkon nga parlamenti të ndryshojë përfaqësimin e demokratëve në komisionin e posaçëm për Reformën Zgjedhore.
Kërkesa e tij u paraqitur në Konferencën e Kryetarëve, por për t’u miratuar, nevojiten votat e socialistëve të cilët vijojnë të jenë të dyzuar se kush është kryetar i grupit parlamentar të PD-së.
“Në të njëjtën frymë dhe rregullave siç janë rënë dakord, nuk mundet grupi i PS të diktojë se cilët janë anëtarët e opozitës në komisionin e reformës zgjedhore. Nëse duan ta bëjnë komisionin mes vetes, pra mes grupit të PS, është një zgjedhje e tyre, por reforma zgjedhore në themel ka konsensusin mes opozitës dhe maxhorancës.”
Për të përforcuar pozicionin e tij si kryetar i grupit, Bardhi njoftoi se 28 deputetë demokratë kishin rifreskuar dokumentacionin pranë protokollit të Kuvendit.
“Sot regjisitruar zyrtarisht, 28 prej tyre kanë njoftuar kryetaren e Kuvendit se kush është kryetari i tyre i grupit. Dhe kjo çështje është ezauruar. Kush do pastaj të bëjë lojë me Edi Ramën për të mbajtur në rrëmujë opozitën, është në të drejtën e tij të vazhdoj ta bëj, janë qytetarët që do të na gjykojnë.
Kjo përplasje ndërmjet demokratëve u reflektua edhe në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve ku Flutura Açka braktisi mbledhjen pasi nuk ishte thirrur si kryetare e grupit.
“Zonja Açka i drejtoi një pyetje se në çfarë cilësie ishte në mbledhjen e konferenecës dhe u njoftua se ishte në cilësinë e kryetares së komisionit parlamentar për arsimin, në atë moment bëri një deklaratë politike dhe u largua nga mbledhja.”
Në mungesë të dakordësisë në Konferencën e kryetarëve, debati do të kalojë të enjten në seancë. (A2 Televizion)
