
Këtë fundjavë, vëmendja është te derbi i kryeqytetit Dinamo -Partizani. Kampionët në fuqi përballen me “Nëndetësen blu”, që këtë sezon është ngjitur në elitën e futbollit shqiptar, por siç është prezantuar nga drejtuesit, ka një projekt serioz dhe ambicioz për të ardhmen.
Trajneri Zoran Zekiç bën llogaritë pa Saliun, Sembene, Pano Qirko dhe Alfred Mensah, ndërsa shpreson tek Andi Hadroj që të rikuperohet plotësisht.
Probleme ka dhe te Dinamo, që pas humbjes me Shijakun, kërkon të rikthehet sa më shpejt te fitorja. Skuadra e Di Biaxhos luan pa Rustem Hoxha dhe Fatjon Andonin. Dueli është programuar të luhet në “Elbasan Arena” në orën 18:00.
Në kryeqytet, Tirana pret Erzenin që pas fitores me Dinamon kërkon të ruajë ecurinë pozitive. Në edicionin e kaluar, shijakasit fituan vetëm një ndeshje ndaj bardhebluve, ndërsa tre të tjerat përfunduan në favor të Tiranës. Pavarësisht kësaj, tekniku Orges Shehi nuk sheh statistikat, por vlerëson maksimalisht kundërshtarin.
Takimet e tjera të javës do të luhen të shtunën. Teuta udhëton në Shkodër. Egnatia pret Laçin, ndërsa Kukësi përballet me Skënderbeun në Korçë. (A2 Televizion)