Reforma Zgjedhore, Lulzim Basha prezanton platformën me 6 pika

Nga A2 CNN
21 Shtator 2023, 21:12 | Politikë
Reforma Zgjedhore, Lulzim Basha prezanton platformën me 6 pika

Nga një sallë e Akademisë së Arteve, Partia Demokratike zyrtare prezantoi pasditen e së enjtes plaftormën për Reformën Zgjedhore. Lulzim Basha shpalosi edhe një herë përpara publikut planin me 6 pika, të cilat i kishte prezantuar më herët gjatë fushatës për rikthimin e tij në krye të Partisë Demokratike.

Hapja e listave ishte prioritet numër një i tij, pasi, siç tha, në këtë mënyrë votuesit do kenë mundësi të zgjedhin vetë deputetin: “Listat e hapura do të garantojnë kështu që shqiptarët të kenë një Parlament të përbërë nga njerëz që janë produkt i drejtpërdrejt i votës së tyre, jo i renditjeve partiake, jo i renditjes personale, qofshin të kryetarit të partisë apo faktorëve të tjerë”.

Si problem themelor për deformimin e votës, Lulzim Basha sheh ndarjen e Shqipërisë në 12 zona zgjedhore, ndaj dhe propozoi që të ketë vetëm një të tillë: “Shqipëria një zonë elektorale si Kosova, në daçi si vendet e BE. Të hapur edhe për ndarje me 3 ose 4 zona elektorale. Rëndësi të ketë barazia e votës”.

Sipas kreut të Partisë Demokratike, Reforma Zgjedhore nuk do të kishte efekt nëse nuk miratohet vetting-u për politikanët dhe të hiqet imuniteti i tyre. Basha theksoi gjithashtu se duhet të garantohet edhe votimi i emigrantëve, por si pjesë e reformës duhet të përfshihet dhe mënyra e zgjedhjes së Presidentit: “Që kur nga 2008, kur iu hoqën një nga një dhëmbët dhe dhëmballët Presidentit të Republikës, vendi është përballur me kriza kushtetuese. Paaftësia e institucioneve për të zgjidhur krizat politike është kthyer në kriza kushtetuese, një nga arsyet kryesore është zhbërja e rolit të Presidentit të Republikës. Rikthimi i Presidentit të Republikës si një garant i Kushtetutës, përmes zgjedhjes nga populli”.

Basha pati një ftesë për të gjithë aktorët politik dhe shoqërinë civile që të bëhen pjesë e debatit për Reformën Zgjedhore, duke theksuar se procesi i diskutimit duhet të jetë publik e jo me dyer të mbyllura, në zyrat e Kuvendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos