Hetimet e SPAK, Berisha: Po tentohet të zhduket dosja e inceneratorit të Tiranës

Nga A2 CNN
22 Shtator 2023, 13:26 | Politikë
Hetimet e SPAK, Berisha: Po tentohet të zhduket dosja e inceneratorit

Dosja e SPAK për inceneratorin e Tiranës rrezikon të zhduket, paralajmëroi Sali Berisha, sepse në të ekzistojnë mesazhe ku sipas tij, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj kërkon të paguhen disa persona, përfshirë edhe njerëz të medias. Kjo – pohon Berisha – vërteton se pronari i vërtetë i projektit është Veliaj.

“Po bëhen tentativa për të zhdukur fashikuj në dosjen e SPAK-ut. Nëse aty ka prokurorë të ndershëm, ta kyçin me tre çelësa këtë dokument në kasafortë që fakton në mënyrën më përfundimtare pronësinë e djegësit të Tiranës”.

Gjatë konferencës me gazetarët, Berisha njoftoi se ish-agjenti i FBI, Charles MgGonigal ka pranuar fajësinë edhe për dosjen shqiptare. Sipas tij, pranimi i fajësisë nga McGonigal bën përgjegjës edhe kryeministrin Edi Rama, i cili është përmendur 14 herë në aktakuzën e prokurorisë amerikane.

“Aspekti poshtërues për Shqipërinë është se edhe pse Edi Rama, Dorian Duçka, Agron Neza janë nën hetim, Gjiknuri, kryetari i Bashkisë së Tropojës, Rexh Byberi, këta janë të gjithë në hetim dhe në Shqipëri nuk guxohet me hapë një hetim. A nuk është ky mohim total i shtetit?”.

Ish-kryeministri komentoi edhe deklaratën e ambasadës së Shteteve të Bashkuara, që sërish u distancua nga personat non grata. Por ai zgjodhi të fokusohej vetëm te një pjesë e mesazhit të shpërndarë për mediat nga selia diplomatike e Rrugës së Elbasanit.

 “Gjysma e mesazhit thotë se SHBA nuk ndërhyjnë në punët e brendshme të partive, është në të drejtën e tyre të zgjedhin. Është pikërisht kjo që unë përshëndes. Nëse ka një njeri që ka bërë në 32 vite përpjekje që të zgjedhin me votën e tyre njerëzit, ky është Sali Berisha”.

Sa i përket çështjeve të brendshme, lideri historik i Partisë Demokratike e cilësoi si një proces bashkimin që është duke vijuar, pavarësisht se grupi i Gazment Bardhit nuk e njeh për kryetar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos