
Sali Berisha pranimin e akuzave nga Charles McGonigali shikon si ndëshkim edhe për kryeministrin Edi Rama, pasi sipas tij kreu i qeverisë është bashkëfajtor në çështjen e ish-agjentit të FBI. Në një postim në mediat sociale, Berisha parashikon se shumë shpejt si McGonigal edhe Rama do të shkojnë në burg. Sipas tij, në rast se pranohet marrëveshja që ka propozuar gjykatësja, ish-agjenti i kundërzbulimit do të dënohet me 65 vite burg në shkurt të vitit tjetër.
“Bashkëfajtorë! Ndajnë fatin, e meritojnë! Në shkurt të dy në burg. Të dashur miq, dje McGonigal pranoi të gjitha akuzat penale për veprat penale të kryera në bashkëpunim direkt me Edi Ramën, Dorian Duçkën dhe Agron Nezën në Shqipëri. Për Edi Ramën, Duçkën dhe Nezën sipas avokatëve amerikanë nuk do ketë marrëveshje, por dënimet do shkojnë nga 7 deri në 15 vite!”, vijon reagimin kreu i Rithemelimit.
Një ditë më parë ish-shefi i kundër zbulimit në FBI, Charles McGonigal, pranoi se kishte falsifikuar të dhënat dhe ka bërë deklarata të rreme në lidhje me 225,000 dollarët që mori nga ish-agjenti i inteligjencës shqiptare, gjatë kohës që punonte për FBI-në. (A2 Televizion)