
Ish-zyrtari i FBI-së Charles McGonigal, është deklaruar fajtor në gjykatën federale të Uashingtonit, duke pranuar se ka fshehur pagesa sekrete të bëra në drejtim të tij nga një ish-zyrtar i zbulimit shqiptar. McGonigal pranoi se ka falsifikuar të dhënat dhe ka bërë deklarata të rreme në lidhje me 225,000 dollarët që mori nga ish-agjenti i inteligjencës shqiptare, gjatë kohës që punonte për FBI-në.
Sipas deklaratës së Departamentit të Drejtësisë në SHBA, ish-agjent i posaçëm i Byrosë Federale të Hetimit i ngarkuar me detyrë në zyrën e Nju Jorkut, pranoi pas marrëveshjes me prokurorët se 225,000 dollarët i ka marrë nga një individ që kishte interesa biznesi në Europë, teksa po mbikëqyrte punën e kundërzbulimit.
Deklarata e fajësisë së 55-vjeçarit u pranua nga gjyqtarja e qarkut, Colleen Kollar-Kotelly, e cila përcaktoi 16 shkurtin e vitit të ardhshëm si datën kur do të zhvillohet seanca gjyqësore, ku McGonigal do t’i komunikohet dënimi.
Për çështjen e pagesave nga ish-zyrtari i inteligjencës shqiptare (Agron Neza), akuza parashikon një dënim maksimal me pesë vite burg për McGonigal, i cili po ashtu akuzohet se ka shkelur ligjet kundër pastrimit të parave dhe sanksioneve, pasi kur la detyrën si shefi i kundërzbulimit në FBI, nisi të punonte për oligarkun rus, Oleg Deripaska.
Në FBI ai kishte për detyrë të hetonte pikërisht oligarkët rusë, por filloi të punonte për Deripaskën dhe u pagua prej tij për të lobuar në SHBA që të tërhiqeshin sanksionet. Lidhur me këtë shkelje, ai rrezikon 5 vite të tjera burg. (A2 Televizion)